Vrasja e dyfishtë pasditen e së hënës në Vushtrri tronditi vendin. Gruaja e vrarë Nexhmie Haradini është bërë gruaja e 59-të e vrarë në Kosovë prej vitit 2010.
Sipas një infografike të publikuar nga REL, bazuar në të dhënat e Policisë, vjet në Kosovë janë vrarë tri gra.
Katër gra janë vrarë në vitin 2023, katër tjera në vitin 2022, tri në vitin 2021, shtatë në vitin 2020, pesë në vitin 2019, shtatë në vitin 20218, dy në vitin 2017, dy në vitin 2016, tri në vitin 2015, tri në vitin 2014, një në vitin 2013, tri në vitin 2012, pesë në vitin 2011 dhe gjashtë në 2010.
Gruaja që u vra dje u gjet në një nënkalim në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. I dyshuar për vrasjen është një 58-vjeçar Arsim Morina, i cili më pas ka qëlluar edhe veten.
Dorasi është pronari i një furre buke, ku e ndjera kishte punuar më parë.
Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.
“Rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten. Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje””, ka thënë Zahiti.
Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.
“Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, kanë deklaruar nga Prokuroria.