Përgatiti: Armand Hoti
4.6 milionë euro i shpenzoi ndërmarrja “Trepça”, për t’i mbuluar shpenzimet e veta në tre muajt e parë të vitit aktual.
Gjiganti i dikurshëm metalurgjik, për këtë periudhë, arriti të gjenerojë vetëm 1.2 milion euro përmes shitjes së koncentrateve të plumbit dhe zinkut.
Rrjedhimisht, “Trepçës” i duheshin edhe 3.6 milionë euro, në mënyrë që të mbuloheshin të gjitha shpenzimet.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, tregon se këtë shumë ndërmarrjes ia siguroi Qeveria.
“Për tremujorin e parë të këtij viti, të hyrat e gjithëmbarshme nga shitja e koncentratit të plumbit dhe zinkut në “Trepçë” janë 1 milion e 240 mijë euro. Një milion e 605 mijë euro janë shpenzimet mujore, që i bie 4.8 milion shpenzim, një milion e 200, tre milion e 600 mijë nga kanë ardhur? Normalisht që prej Qeverisë”, tha Kurti.
Kryeshefi Kurti inkurajon punonjësit e ndërmarrjes, të angazhohen më tepër për rritje të prodhimit.
Ndërkohë, ish-menaxheri i “Trepçës”, njëherësh deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, kundërshton një praktikë të tillë të subvencionimit.
Megjithatë, ai përmend nevojën e reformave në ndërmarrje.
“Definitivisht “Trepça” duhet të rikonstruktohet, të menaxhohet profesionalisht dhe në mënyrë profesionale. Në “Trepçë” duhet të investohet dhe nuk guxojmë të jemi kështu indiferent siç është kjo qeveri”, tha Shala.
Për ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu, “Trepça” është bërë barrë për buxhetin e shtetit.
“Definitivisht duhet të kemi një qasje pak më ndryshe, është koha kur duhet të kemi një grup të ekspertëve, të cilët duhet të vendosin se a ia vlen në këtë mënyrë të vazhdohet më tutje, në veçanti kur në botë ka aq shumë kriza dhe aq shumë luftëra dhe çmimet e metaleve janë ndoshta në rritjen më të madhe viteve të fundit”, tha Gërxhaliu.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë, sa Kurti ka qeverisur vendin, “Trepçës” iu janë dhënë mbi 30 milionë euro në formë subvencioni.
Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve, janë shfrytëzuar për mbulimin e shpenzimeve operative.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: