Të paktën tetë nxënës dhe një roje sigurie janë vrarë të mërkurën në një shkollë fillore në Beograd, pas një sulmi me armë zjarri të kryer nga një prej nxënësve të shkollës.
Policia njoftoi se ka arrestuar një djalë 14 vjeç lidhur me këtë sulm, që u krye rreth orës 8 të mëngjesit në shkollën “Vladislav Ribnikar”, në distriktin Vracar në qendër të Beogradit.
Autoritetet bënë të ditur se prej tetë nxënësve të vrarë, shtatë prej tyre ishin vajza, derisa viktimat më të reja ishin të moshës 14-vjeçare.
Të paktën gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësuese janë plagosur në këtë sulm, të cilët janë dërguar në spital, bëri të ditur qeveria nëpërmjet një deklarate.
Shokët e klasës të sulmuesit thanë se ai hyri në klasë në orën e lëndës së historisë, fillimisht duke qëlluar mësuesen dhe më pas ktheu armën në drejtim nxënësve.
Sipas zyrtarëve, nxënësi ishte bërë së fundmi pjesë e kësaj shkolle dhe dyshohet se ka përdorur armën e babait të tij, për ta kryer sulmin.
Policia tha se arma që ishte gjetur në vendin e ngjarjes ishte një revole e kalibrit 9 milimetra, derisa është gjetur edhe një çantë me katër kokteje molotovi.
Zëdhënësi i policisë tha se sulmuesi planifikoi sulmin një muaj më herët, dhe se ai kishte një listë të nxënësve dhe kishte planifikuar çdo lëvizje në detaje.
Të shtënat masive janë të rralla në Serbi, megjithatë, pas SHBA-së dhe Malit të Zi, Serbia renditet e treta në botë me përqindje të posedimit të armëve për kokë banori, me një mesatare prej 39 armëve të zjarrit për 100 njerëz. /atvlive.tv