Futbollisti serb Nenad Tomović, në një intervistë për “Sportinho”, është rikthyer të komentojë ngjarjen e famshme të 14 tetorit 2014, në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, e cila u ndërpre pas incidentit me dronin që mbante flamurin “Autochthonous”.
Sipas tij, ngjarja nuk ishte spontane, por e planifikuar nga pala shqiptare. Ish-mbrojtësi i Serbisë pretendon se disa futbollistë shqiptarë e dinin se do të ndodhte një skenë e tillë.
“Sinqerisht, ishte një provokim i madh ta shihnim atë flamur të valëvitej mbi kokat tona. Stefani reagoi me zgjuarsi dhe e hoqi menjëherë. Nga reagimi i tyre, që vrapuan për ta mbrojtur flamurin, shihet se gjithçka ishte e planifikuar dhe e organizuar. Më pas shpërthyen incidentet, por mendoj se ky ishte qëllimi i tyre. Ajo që planifikuan, në fund e arritën,” – tha 38-vjeçari.
Tomović foli edhe për ndeshjen e ardhshme mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet të shtunën në Leskovc. Ai beson se Serbia duhet ta fitojë këtë përballje, duke theksuar se skuadra e tij ka më shumë cilësi dhe përvojë.
“Kudo që të luhet ndeshja – në Beograd, Leskovc apo kudo tjetër – qëllimi është i njëjtë: fitorja. Duhet të jemi të durueshëm dhe të zgjuar, të mos nxitohen për të shënuar me çdo kusht. Serbia ka cilësi më të larta si individualisht ashtu edhe si ekip, prandaj besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje,” – përfundoi ai.







