Nelson Hysa synon historinë në Dusseldorf, përballë kampionit të pamposhtur Agit Kabayel

Boksieri shqiptar Nelson Hysa do të ketë sonte përballjen më të rëndësishme të karrierës së tij, teksa në Dyseldorf të Gjermanisë do të sfidojë kampionin e pamposhtur Agit Kabayel, në një duel ku është në lojë titulli i kampionit të botës në peshat e rënda të WBC-së.
Për 42-vjeçarin shqiptar, kjo është mundësia e artë për të hyrë në historinë e boksit profesionist dhe për t’u bërë shqiptari i parë që fiton një titull të tillë botëror.
Reklamë
Hysa vjen në këtë përballje me një rekord të jashtëzakonshëm prej 25 fitoresh në po aq ndeshje, 23 prej të cilave të fituara me nokaut. Fitorja e tij e fundit ishte ajo ndaj Thomas Narmo, në muajin gusht, kur e mposhti kundërshtarin me nokaut që në raundin e dytë.
Në anën tjetër, Agit Kabayel, 34 vjeç, ka një bilanc të përsosur prej 27 fitoresh në 27 përballje, 19 prej tyre me nokaut. Gjermani u shpall kampion i plotë i WBC-së pasi Oleksandr Usyk liroi titullin, ndërsa më parë kishte mbajtur edhe titullin e përkohshëm.
Në duelin e tij të fundit, të zhvilluar në janar të këtij viti, Kabayel triumfoi me nokaut teknik në raundin e tretë ndaj Damian Knyba. Për të, përballja me Nelson Hysën përfaqëson mbrojtjen e parë të titullit si kampion i plotë.
Një tjetër detaj interesant është diferenca në peshë mes dy boksierëve. Në peshimin zyrtar, Hysa rezultoi 13.6 paund, ose rreth 6.2 kilogramë, më i rëndë se kundërshtari gjerman.
Pavarësisht moshës dhe faktit se renditet në vendin e 16-të në klasifikimin e WBC-së, Hysa ka treguar gjatë karrierës së tij se zotëron fuqi të jashtëzakonshme goditëse, një element që mund ta bëjë këtë përballje edhe më interesante.
Ndeshja do të zhvillohet në Merkur Spiel-Arena të Dyseldorfit, ku pritet një atmosferë e jashtëzakonshme, ndërsa interesimi për këtë duel është i madh.
Reklamë











