Nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të garojë sërish me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër. Këtë e ka konfirmuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Unë besoj që po. Siç e kam thënë prej ditës kur e kam nominuar dhe tash bëhet më shumë se një vit nga ajo kohë ai (Bedri Hamza) është personi më i duhur për fazën që po na pret”, deklaroi Krasniqi.
Sipas tij, situata në vend është përkeqësuar, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në mirëqenien e qytetarëve dhe në raportet ndërkombëtare të Kosovës.
Kryetari i PDK-së ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të tentojë të krijojë Qeverinë aktuale, pasi sipas tij, asnjëra parti nuk e ka shumicën e nevojshme.
“Rruga e vetme janë zgjedhjet, meqë asnjëra parti nuk e ka shumicën. Presidentja Vjosa Osmani do të duhej t’i ftonte partitë që tani për konsultime”, tha ai.
Krasniqi theksoi se nuk ka nevojë të pritet afati prej 10 ditësh për hapat e ardhshëm, në mënyrë që të mos ketë vonesa të panevojshme.
“Në kuptimin formal, Presidentja do të duhej të na kontaktonte qysh tash. Ma merr mendja që secili prej nesh që mund të ftohemi, do t’i thojmë që s’e kemi shumicën, andaj t’i ndërmerr veprimet…Jo, s’mundemi me marr mandat. Duhen 61 numra”, tha Krasniqi.
Madje, sipas tij nuk ka nevojë të pritet fare 10 ditë, në mënyrë që të mos ketë vonesa tutje.
Sa i përket Kuvendit, tha se pas herës së dytë nëse nuk bëhet shumica, shpërndahet automatikisht.







