Qytetarët e katër komunave të Kosovës, Prishtinës, Prizrenit, Lipjanit dhe Istogut kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e mjekut të tyre familjar. E kjo u është mundësuar përmes katër shërbimeve të reja të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat u lansuan në Platformën eKosova.
Zëvendësdrejtori i QKMF-së në Prizren, Fadil Bajraktari, në një prononcim për ATV-në tregoi se për dallim nga katër komunat e tjera, ky pilot projekt në Prizren do të implementohet në 52 objekte të kujdesit primar shëndetësorë.
“Ky është një pilot projekt që Ministria e Shëndetësisë do ta zhvillojë në katër komuna të Kosovës. Në mesin e komunave që do ta zhvillojmë këtë projekt jemi edhe ne si Prizren, jemi përzgjedhur nga Ministria, është Prishtina me dy objekte dhe është Istogu dhe Lipjani. Për dallim të Komunës së Prishtinë e cila do t’i ketë vetëm dy objekte, ne do ta implementojmë këtë pilot projekt në 52 objekte që i kemi, do të thotë i kemi në gjithë territorin e kujdesit primar të Prizrenit”, tha Bajraktari.
Ai tha se implementimi i këtij pilot projekti do të jetë një lehtësim për qytetarët, por edhe për mjekun që do t’i ketë pacientët e përhershëm gjatë punës së tij.
“Unë mendoj se implementimi i mjekësisë familjare është lehtësim sepse nëse ti do ta zgjedhësh mjekun, edhe slogani i jonë që është gjatë kësaj kampanje është “Mjeku i im, shëndeti i im”, kështu që ne do të lehtësohemi. Nëse do ta kesh mjekun tënd të përzgjedhur. Kjo do të bëhet për të gjithë qytetarët të cilët duhet ta hapin një adrese përmes platformës në eKosova, e në atë adresë mundët që një individ, një anëtar i familjes t’i regjistrojë të gjithë familjen te mjeku, të cilën dëshiron ta përzgjedhë, sepse nëse ti mund ta përzgjedhësh mjekun, je i kënaqur me shërbimet që ofron ai mjek, me cilësinë edhe me kujdesin që ofron, kështu që kjo është në të mirën edhe te qytetarëve, por është edhe në të mirën e mjekut që do t’i ketë pacientët e përhershëm gjatë punës së tij”, tha Bajraktari. /atvlive.tv