Ndeshja Kosova-Izraeli, policia jep detaje për planin operativ dhe masat e sigurisë

Policia e Kosovës është duke zbatuar një plan të veçantë operativ me masa të shtuara sigurie, në prag të përballjes ndërkombëtare të futbollit në kuadër të “Ligës së Kombeve” ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e cila zhvillohet sot nga ora 15:00 në Prishtinë.
Që nga momenti i arritjes së ekspeditës izraelite në vendin tonë, njësitet policore kanë ndërmarrë aktivitete të vazhdueshme për përcjelljen e ekipit dhe garantimin e sigurisë përgjatë gjithë itinerarit të lëvizjes dhe qëndrimit të lojtarëve dhe stafit të tyre.
Reklamë
Gjatë ditës së sotme, në kohën e lëvizjes së eskortës drejt stadiumit dhe kthimit, do të ketë kufizime dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit rrugor në kryeqytet, për çka Policia kërkon mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.
Në koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe kompanitë e sigurisë, Policia do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit, me qëllim parandalimin e çfarëdo incidenti.
Për të shmangur tollovitë dhe vonesat, rikujtohen rregullat e FFK-së për tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium:
Të paraqiten me kohë në hyrjet e stadiumit;
Të kenë me vete biletën dhe dokumentin e identifikimit;
Të shmangin rreptësisht marrjen e gjësendeve të palejuara, mjeteve të rrezikshme apo elementeve me përmbajtje të ndaluar.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe fton të gjithë që për çdo informatë apo rast të dyshimtë të lajmërohen menjëherë në numrin emergjent 192.
Reklamë








