Fekir Tahiri, që ka 50 vjet që jeton në lagjen “Gezim Sahiti” të Ferizajt, po ndihet i detyruar të largohet nga shtëpia e tij. Ndërtimi i një ndërtese prej 13 katesh në afërsi të shtëpisë së tij, po e obligon atë dhe shumë banorë të tjerë ta mendojnë largimin nga vendi ku jetuan brez pas brezi.
“Para dy vitesh ka filluar të ndërtohet një objekt 13 katësh në një sipërfaqe prej 8ari, duke pasur parasysh faktin që jemi të kufizuar me parcela, familja e jonë dy familjet prapa, tri andej d.m.th. diku 5-6 familje një objekt 6 katesh ndërtohet me një lagje ku është ndërtimi i ulët, de facto neve nuk na mbetet të jetojmë këtu, i pamundëson kushtet e jetesës, mbyllen dritaret komplet të zonave të shtëpive ekzistuese qe janë ndërtua para 50 vitesh dhe kanë leje ndërtimi dhe ka pas plan urbanistik kjo lagje”, tha Fekir Tahiri, banor.
Banorët, përmes ankesave drejtuar institucioneve komunale e shtetërore kanë arritur t’i ndërpresin punimet përkohësisht.
“Duke filluar që nga drejtoria e urbanizmit, kryetarit të komunës ju kemi drejtua edhe prokurorisë së shtetit dhe të gjitha organeve kompetente edhe të komunës edhe te republikës së Kosovës” “Deri më sot e kemi marr vetëm një përgjigje, përgjigja ka qenë ndërpriten punimet dhe i pezullohet leja e ndërtimit”, tha Tahiri.
Shqetësim të njëjtë kanë edhe banorët e tjerë të kësaj lagjeje.
“Po na pengojnë vallah shumë, po çka me bo se neper rrugë të ngushta ndërtimet e nalta nuk duhet me i lejua. Rrugët e ngushta edhe banimet e nalta, punimet e nalta kur të ndërtohet duhet me pas hapësire të madhe për me pas vende për parking fëmija ni lodër s’ka ku del”, tha Hysnije Shabani, banore.
Arbër Bytyqi, drejtor i Urbanizmit dhe Mjedisit, thotë se në bazë të planit urbanistik, kjo zonë është paraparë të jetë ndërtim i lartë.
“Edhe banorët i kemi takuar disa herë, i kemi mirëkuptuar dhe e mirëkuptojmë çdo herë shqetësimin e tyre mirëpo kjo tashme është e definuar pasi që zona që është e paraparë, është e paraparë për ndërtim të lartë, për banim kolektiv dhe fatkeqësia tjetër është se zona përballë për ndërtim të ulët gjegjësisht banim individual”, tha Byryqi.
Ndërkaq, avokati i kompanisë që po e ndërton këtë objekt, ka treguar se investitori i ka ndjekur të gjitha procedurat për ndërtimin e këtij objekti.
“për investitorin ka qenë e pamundshme të bëjë ndonjë zgjidhje për shkake se i njëjti para se të kërkojë lejen për ndërtim të lartë ka kërkuar lejen për ndërtimin e shtëpisë duke qenë se ka qenë prona e tij, por që komuna i është përgjigje dhe i ka thënë se nuk mundesh me bo ndërtim të ultë për shkak se është zonë e ndërtimit të lartë, dhe në këtë mënyre i njëjti e ka pas të pamundur të veproj diçka tjetër aty, dhe vija e planit ndërtimor e miratuar në vitin 2011 është pikërisht deri në atë rrugë”, Fitim Shabani, avokat.
Punimet në këtë objekt janë pezulluar, deri në një përgjigje nga Komuna e Ferizajt për situatën e krijuar. /atvlive.tv