Përgatiti: Arian Hajdaraj
300 mijë euro ia ka ndarë Ministria e Financave asaj për Komunitete dhe Kthim, për një projekt mbështetës për organizatat joqeveritare të komunitetit serb në komunat veriore.
Projekti, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, deri tash është zvarritur për shkak të masave nga Bashkimi Evropian.
“Kjo ndarje vjen si rezultat i ngecjes së projektit që kanë në raport me mbështetjen e komuniteteve pakicë. Dhe kjo ngecje e projektit ka ndodhë pikërisht për shkak të masave të Bashkimit Evropian dhe kufizimeve të tyre. D.m.th, një veprim i Bashkimit Evropian që ka qenë gjoja për shkak të shtensionimit të situatës në vendbanimet që banohen nga komunitetet joshumicë, ka rezultuar pikërisht në dëmtim të interesave të komunitetit joshumicë”, tha Murati.
Vetëm disa ditë pasi dështoi të ratifikohet në Kuvend, qeveria e miratoi sërish një marrëveshje ndërkombëtare me Fondin Zhvillimor Opec, për të marrë kredi në vlerë prej 40 milionë euro, me 0% interes.
“Konsideroj se është e rëndësishme që të përmbyllet cikli i reformave që ka qenë dhe mjetet të disbursohen. Përveç se ka përfitime financiare, me kushte 20 vjet kthimi, bëhet fjalë edhe për rritjen dhe përforcimin e bashkëpunimit të Kosovës me të gjitha shtetet”, tha Murati.
Qeveria po ashtu mori vendim për shpërbërjen e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës, me kërkesë të menaxhmentit të saj. Vetëm gjatë vitit 2022, ndërmarrja që nuk kryen asnjë funksion, kishte shpenzuar 70 mijë euro për 7 anëtarët e saj.
“Tani kanë pushuar edhe shkaqet juridike për ekzistimin e ndërmarrjes, ndër të tjera, procedura e arbitrazhit lidhur me projektin e termocentralit Kosova e Re”, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Buxheti i shtetit synohet të kursehet edhe më tej, përmes lidhjes së marrëveshjes për sigurime sociale me qeverinë e Turqisë, e cila do t’ua pamundësojë qytetarëve me dy nënshtetësitë, të marrin pensione në të dy shtetet njëkohësisht.