Nata e shtatë e protestave pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Për të shtatën ditë po vazhdon protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt. Protestuesit kanë nisur protestën fillimisht para objektit të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, raporton Ekonomia Online.
Pas qëndrimit para Qeverisë, protesta pritet të vazhdojë drejt institucioneve të tjera, me kërkesë për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
Reklamë
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj. Ajo u vra pak ditë pasi paralajmëroi me letër institucionet se jeta e saj është në rrezik. Vrasja ndodhi pasi u kthye nga Policia ku e paraqiti ish-bashkëshortin për kanosje.
Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta, protesta dhe masa në institucione. Në mesin e zhvillimeve pas rastit është edhe dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendime të prokurorëve e policëve.
Protestuesit po kërkojnë që vrasja e grave të trajtohet si çështje urgjente kombëtare. Ata kanë kërkuar ndjekje penale të prokurorëve e gjyqtarëve që janë marrë me rastin e saj.
Kanë kërkuar edhe shkarkimin e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pasi refuzuan dorëheqjen. E dorëheqje i është kërkuar edhe kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Reklamë








