Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa thotë se masat ndaj Kosovës duhet të largohen sa më parë, meqë siç thekson ai, janë të padrejta.
Shteti nuk e ka merituar vendosjen e tyre, thotë Mustafa, sipas të cilit Kosova po qëndron në rrugën e saj.
“Unë nuk e arsyetoj, por e mirëkuptoj një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që duhet të qëndrojë afër politikave ndoshta edhe bllokut të lindjes të Rusisë, për të ruajtur raportet apo interesat e tyre dhe ata po i përdorin disa mekanizma për të sulmuar vlerat në vendin tonë. Kosova nuk e ka merituar vendosjen e masave. Unë besoj këtë tani e dinë edhe shumë miq tanë sepse ata dëshirojnë dhe shtyjnë faktorët e bashkësisë evropiane për të hequr masat, ata ende nuk kanë lëvizur. Besoj që shpejt duhet të hiqen ato masa nga vendi ynë. Janë të padrejta, janë të padinjitetshme dhe janë shumë të paarsyeshme. Ka një varg orkestrimesh të qarqeve të bashkësisë ndërkombëtare që janë duke vazhduar ende ta sulmojnë Kosovën me çdo mjet. Kosova po qëndron mirë në rrugën e saj. Ne duhet të ecim bashkë me miqtë tonë për zhvillime të mëtutjeshme”, thotë Mustafa.
Në qershor të vitit të kaluar, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Por, në mesin e këtij viti, ish-përfaqësuesi i lartë i bllokut, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e tyre por kjo çështje ende vazhdon të diskutohet nga vendet anëtare të BE-së.