Vedat Muriqi shkëlqeu mbrëmë me dy gola në barazimin e Mallorcas ndaj Real Valladolidit.
Sulmuesi kosovar ishte protagonist në ndeshjen që përfudoi 3:3 duke shënuar dy herë në pjesën e dytë.
Me këtë rast, prizrenasi u ngrit në kuotën e 12 golave të realizuara deri tash në këtë sezon në La Liga.
Kështu, ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes dhe Lazios iu afrua në dy gola Karim Benzemas, i cili është i dyti, ndërsa e sheh veten pesë gola prapa Robert Lewandowskit, i cili prin në listën e golashënuesve më të mirë në kampionatin spanjoll, respektivisht në garën për “Pichichi”.
Krahas 12 golave, Muriqi i ka bërë edhe dy asistime në 25 ndeshje të zhvilluara deri tash.
Përfaqësuesi kosovar e ka një mesatare prej 0,5 goli për ndeshje, respektivisht ai shënon çdo 181 minuta në kampionatin spanjoll.
Ai i ka bërë 48 gjuajtje në portë, prej tyre 25 për qind kanë përfunduar në rrjetën e portave kundërshtare, shkruan “Gazeta Express”.
Ndërkaq, saktësinë e gjuajtjes, “Pirati” e ka 50 për qind, në bazë të statistikave të nxjerra nga gjiganti britanik mediatik “BBC”.
Pra, Muriqi është duke e kaluar një sezon fenomenal dhe është bërë lojtari vendimtar i Mallorcas, të cilën synon ta shpëtojë pa rënë nga liga, njëjtë siç bëri në edicionin e kaluar.