Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit të PDK-së Bedri Hamza i cili ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve me ardhjen e tij në Qeveri.
Murati kujton se PDK-ja ishte ndër partitë që nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për 2026-tën, e për çka thotë të ketë shpresuar se me ardhjen e Hamzës në krye të partisë do të reflektonin.
Megjithëkëtë, Murati thotë se pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi në sjellje.
“Bedri Hamza paska premtu që ndër vendimet e para të tij ka me qenë rritja e pagave dhe pensioneve. Mirëpo siç e dini të gjithë, as PDK-ja nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, duke e rrezikuar kështu kolapsimin financiar të shtetit. E për me i rritë pagat dhe pensionet, duhet me pasë buxhet të miratuar. Së paku tek buxheti kam pritur që PDK-ja me Bedri Hamzën në krye do të reflektonte e ta votonte, duke e dituar se ai vetë ka qenë ministër i financave dhe e din peshën e një ligji siç është buxheti. Por ja që pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi gjë në sjellje, dhe për interesa partiake është në gjendje ta sjellë shtetin buzë kolapsit financiar”, ka shkruar Murati.
LEXONI EDHE:
Hamza: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive






