Përgatiti: Arton Hamiti
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, dukej si punë e kryer derisa nuk u kushtëzua me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Teksa nuk ishte as në agjendë këtë të premte, Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës, nuk morën as vendim për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme.
Njohës të procesit, vlerësojnë se një mundësi tjetër zor që do të vijë brenda këtij viti.
“Në raport me Kosovën, përkundër asaj që i ka plotësuar të gjitha kriteret siç e ka vërtetuar edhe Asambleja Parlamentare tani e kemi edhe një kusht nga trupi vendimmarrës e që është dërgimi i draftit në gjykatën kushtetuese. Qëndrimet i kemi pa, kryeministri Kurti ka qëndrim të prerë që nuk mund të kërkohet vetëm Asociacioni, por pakoja në tërësi që i bie marrëveshja e Brukselit, marrëveshja e Ohrit dhe drafti i Asociacionit. Serbia, në anën tjetër, çdo ditë dëshmon se nuk dëshiron t’i zbatojë këto marrëveshje, prandaj unë nuk pres lëvizje pozitive në këtë drejtim”, tha Taulant Kryeziu, njohës i integrimeve evropiane.
Kryeziu nuk pret që ekzekutivi të bëjë lëvizje drejt formimit të Asociacionit para zgjedhjeve.
Për Valon Murtezajn, profesor i diplomacisë në Paris, mosanëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është fakt i dhimbshëm.
“Kjo është një mundësi e humbur, e dhimbshme për dy palët, edhe për Republikën e Kosovës edhe për Bashkimin Evropian. Qytetarët e Kosovës e meritojnë ta kenë një mundësi që të sigurohen se të drejtat e tyre nuk po shkelen, por kjo mundësi sot u mohua. Ajo çka mbetet në muajt e ardhshëm është që të krijohet edhe një mundësi tjetër që ky komitet i ministrave që është instanca më vendimmarrëse për anëtarësim të mblidhet por kjo është shumë e vështirë dhe aspak e thjeshtë”, tha Murtezaj.
Ish-zëvendësministri i punëve të jashtme, thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të ndërlidhet vetëm me anëtarësimin në një organizatë.
“Qëndrimi i Kosovës sa i përket Asociacionit, nuk duhet të ndërlidhet vetëm me një anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare, por duhet të jetë qëndrim stabil në përgjithësi dhe në relacion me faktorin ndërkombëtar dhe situatën e brendshme të Kosovës. Kosova duhet të vendosë se a dëshiron ta formojë Asociacionin ose jo”, tha Murtezaj.
Ndryshe, në lidhje me zhvillimet e fundit rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Albin Kurti nuk është deklaruar gjatë ditës, pavarësisht tentimit të gazetarëve.