Drejtori i organizatës “Polcon”, Fitim Mulolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rezultati aktual i zgjedhjeve nuk tregon një fitues apo humbës të qartë, pasi asnjë parti nuk ka arritur dominim të plotë.
Sipas Mulollit, Vetëvendosja ka shënuar rënie, ndërsa PDK dhe LDK kanë treguar një rritje të ndjeshme, duke ndryshuar dinamikën politike.
“Po momentalisht, rezultati aktual po tregon që ndoshta nuk ka as fituese e as humbës të këtyre zgjedhjeve. Sa kemi parë deri tani, Vetëvendosja ka një rënie afër 10% në disa pika, si Prishtina, Podujeva dhe dy-tri komuna të tjera. PDK ka një rritje më të theksuar, LDK gjithashtu një rritje të ndjeshme”, tha Mulolli.
Ai tha se Aleanca dhe Nisma kanë arritur të konsolidohen dhe mund të kenë rol vendimmarrës në formimin e qeverisë së re.
“Aleanca dhe Nisma kanë arritur të konsolidohen dhe të krijojnë një prezencë të dukshme që mund të jetë vendimtare në krijimin e qeverisë së re. Prandaj, nuk po më duket se ka një dështim të qartë, por as një fitues të shpallur”, u shpreh Mulolli.
Deklaratën e plotë të Fitim Mulollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: