Trajneri i Evertonit, David Moyes, shmangu kritikën e tepruar ndaj Idrissa Gueyes, pas incidentit ku lojtari goditi me shuplakë bashkëlojtarin e tij Michael Keane gjatë ndeshjes kundër Manchester United.
Pavarësisht se luajti pothuajse gjithë ndeshjen me një lojtar më pak, Evertoni arriti një fitore të vështirë 1-0 si mysafir në Old Trafford.
Gueye kaloi një “moment të çmendur” gjatë takimit, duke u grindur me Keane dhe më pas duke e goditur me shuplakë para të gjithëve. Për këtë veprim, ai u ndëshkua me karton të kuq. Pas ndeshjes,
Moyes theksoi se mund të nxirreshin edhe gjëra pozitive nga situata.
“Rregullat janë të qarta: nëse godet shokun e skuadrës, mund të kesh pasoja. Por ka edhe një tjetër aspekt. Më pëlqen kur lojtarët e mi debatojnë nëse dikush nuk ka vepruar si duhet,” tha Moyes për Sky Sports.
Ai shtoi: “Nëse dëshiron ashpërsinë dhe vendosmërinë për të arritur rezultat, duhet që dikush të reagojë ndaj një lëvizjeje të gabuar.”
Nga ana e tij, Gueye kërkoi menjëherë falje ndaj Keanet, bashkëlojtarëve, klubit dhe tifozëve, duke premtuar se nuk do të përsëriste kurrë një veprim të tillë dhe duke shpjeguar se ishte i pushtuar nga emocionet në atë moment. /ATVLIVE.TV







