Uthulla e bardhë është një produkt shumëpërdorimësh që mund të shërbejë për shumë gjëra – nga ndihma në zierjen e vezëve, deri te heqja e njollave nga rrobat.
Prej brezash, uthulla është cilësuar si një nga produktet natyrale më të mira për pastrim, falë përmbajtjes acidike që ndihmon në heqjen e papastërtive dhe neutralizimin e aromave të këqija.
Në rrjete sociale, shumë faqe për truket e pastrimit e paraqesin uthullën e bardhë si zgjidhjen e mrekullueshme për çdo njollë apo erë në shtëpi. Por sipas një eksperteje të pastrimit, kjo nuk është plotësisht e vërtetë.
Në fakt, ekzistojnë tre vende në shtëpi ku nuk duhet kurrë të përdorni uthullën e bardhë.
Ekspertja e higjienës personale dhe shtëpiake, Madame Sweat, ndau një video në Instagram ku shpjegoi se nëse keni disa elemente të caktuara në shtëpi, nuk duhet t’i pastroni me uthull.
Ajo tha:
“Jam eksperte e higjienës personale, por dua t’ju ndihmoj edhe me higjienën e shtëpisë. Ja tre vende që nuk duhet t’i pastroni me uthull”.
Gurët natyralë
Nëse keni banakë, tavolina apo mobilje prej guri natyral, mos i pastroni me uthull – as të holluar.
Madame Sweat këshillon: “Mos përdorni kurrë, as uthull të holluar, mbi gurin natyral. Është shumë acidike”.
Në vend të saj, ajo sugjeron të përdorni pak detergjent enësh të holluar me ujë dhe një leckë të butë për të pastruar njollat apo derdhjet.
Dyshemetë prej druri
Dyshemetë prej druri janë shumë të bukura, por uthulla mund t’i dëmtojë. Ekspertja paralajmëron se uthulla mund të “heqë shtresën mbrojtëse” dhe ta shtrembërojë drurin.
Pjesët prej gome
Së fundi, Madame Sweat këshillon të mos përdorni uthull të bardhë në pjesët prej gome – siç janë vulat e lavatriçes apo të pjatalarëses, edhe pse ajo shpesh përmendet si zgjidhje kundër mykut.
Ajo shpjegon: “Uthulla mund ta konsumojë dhe dëmtojë gradualisht gomën. Nëse doni të hiqni aromat e këqija, përdorni sodë buke”.
Uthulla e bardhë përmendet shpesh edhe për neutralizimin e aromave në peshqirë, rroba sportive apo veshje të tjera. Në këto raste, mund ta përdorni në lavatriçe, por derdhni uthullën në ndarjen e detergjentit, në mënyrë që të mos prekë gomën rreth derës.







