Përgatiti: Driton Sadiku
Pas më shumë se një muaji pushim, deputetët të enjten do t’i kthehen punës.
Sallën e Kuvendit do ta gjejnë më ndryshe sesa që e lanë, meqë renovimet kanë përfunduar e salla është pajisur me mjete të reja teknologjike.
Në seancën e parë të sesionit vjeshtor, në rend dite janë pika të cilat do të duhej të kryheshin qysh në muajin mars.
Andaj monitoruesit e Kuvendit shprehen skeptikë se do të mund të përmbushet agjenda e paraparë.
Megjithatë, opozita thotë se do të angazhohet maksimalisht në këta muaj sa kanë mbetur.
Madje, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tregojnë se ku do të jetë fokusi i tyre gjatë kësaj kohe.
Ndër pikat e papërfunduara nga sesioni i kaluar, janë: Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, e Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.
Në seancën e së enjtes, për votim në lexim të dytë do të hidhet edhe Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.