Komuna e Prishtinës do të marrë gjysmë milioni euro grant nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për modernizimin dhe rifunksionalizmin e transportit publik.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se përmes kësaj marrëveshje të konsulencës do të ndërlidhet trafiku urban publik me atë privat, si dhe do të bëhet digjitalizimi i biletave, derisa përmendjen edhe nënshkrimin e kontratës paraprake për blerjen e tridhjetë autobusëve të rinj shtesë.
“Me këtë marrëveshje e marrim një grant gati gjysmë milioni për konsulencë nga BERZH-i që do të na ndihmojë në modernizimin dhe rifunskionalizimin e trafikut urban dhe flotës së re të autobusëve, ku ndërlidhet sektori publik dhe me sektorin privat. Pjesë e procesit ka me qenë edhe reforma e biletave, ku do të bëhet mundësia për digjitalizim të biletave. Të ardhmen e afërt nuk kemi me pas nevojë me i ble dy bileta sikurse është sot por kemi me pas edhe opsionin tjetër shtesë që me një kartelë të trafikut urban me pas akses në çdo autobus të kryeqytetit. E dini se kemi nënshkruar me një kontratë paraprake prej 10 milionë euro, ku tani po presim edhe tridhjetë autobusë të ri shtesë”, tha ai.
Në anën tjetër, drejtori i BERZH-it për Kosovë, Sergiy Maslichenko, tha se autobusët e rinj do të jenë pa ndotës, derisa gjashtë autobusë do të jenë elektrik.
Ai tha se pjesë e rëndësishme e këtij projekti është edhe modernizimi dhe ristrukturimi i rrugëve aktuale.
“Unë mendoj se ndryshimin do ta shihni vitin e ardhshëm, dhe pjesa e rëndësishme e këtij projekti është gjithashtu modernizimi dhe ristrukturimi i rrugës aktuale. Pra, ne kemi këtë grant prej gjysmë milioni të financuar nga BERZH për të hartuar rrugë të reja dhe rrugë më të mira për lëvizje më të mirë të lëvizshmërisë së njerëzve. Ndaj jam shumë krenare që jam pjesë e kësaj ceremonie dhe mezi pres ta zbatojmë këtë projekt së bashku me qytetin”, theksoi ai./kp/