Mirlind Daku shkëlqen në Rusi, përfshihet në formacionin më të mirë të javës

Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku po kalon një periudhë fantastike në futbollin rus, duke u shpërblyer për paraqitjet e tij me një vend në formacionin më të mirë të javës në Superligën e Rusisë.
Futbollisti nga Gjilani është rikthyer në formë të shkëlqyer pas pushimit ndërkombëtar, duke konfirmuar potencialin e tij me gola dhe paraqitje vendimtare.
Reklamë
Daku vazhdoi serinë pozitive edhe në përballjen ndaj ish-skuadrës së tij, Rubin Kazan, ku realizoi vetëm një minutë pasi u inkuadrua në lojë. Pavarësisht golit të rëndësishëm, sulmuesi shqiptar zgjodhi të mos festonte, duke treguar respekt për ish-klubin e tij.
Paraqitja ndaj Rubin Kazanit erdhi pas një tjetër ndeshjeje të suksesshme në Kupën e Rusisë, ku Daku kishte shënuar dy gola. Kështu, me tri realizime në dy ndeshjet e fundit, ai ka konfirmuar formën e lartë që po kalon.
Performancat e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re, pasi platforma e statistikave “SofaScore” e ka përfshirë në formacionin më të mirë të javës në kampionatin rus.
Tashmë, Daku synon ta vazhdojë këtë ritëm dhe të sigurojë një vend të qëndrueshëm në formacionin titullar të skuadrës së tij. Mundësinë e radhës për të dëshmuar vlerat e tij do ta ketë pas gjashtë ditësh, kur skuadra e tij përballet me CSKA-në.







