Hendbollistja Mirjeta Bytyqi ka shkëlqyer në fundjavë në Zvicër. Ajo i shënoi plot 14 gola nga 15 tentime për skuadrën Spono Eagles.
Bytyqi e solli atë energji pozitive në Kombëtaren e Kosovës ku është njëra prej lidereve, ndërsa ndaj Francës të mërkurën dhe ndaj Kroacisë të dielën, do të jetë kapitene.
Bytyqi është e vetëdijshme për nivelin e kundërshtareve, kurse çmon mundësinë që do ta kenë për rritje të mëtejme dhe për zhvillimin e lojtareve të reja.
“Ekipi ynë kombëtar i është nënshtruar një përtërirjeje të madhe dhe e shohim këtë periudhë si mundësi të vlefshme për rritje dhe zhvillim të mëtejmë. Të përballemi me Francën dhe Kroacinë do të jetë sfidë e madhe. Por po ashtu do të jetë shans për të fituar përvojë të rëndësishme dhe që të vazhdojmë ndërtimin për të ardhmen. Është esenciale për ne të tregojmë kurajë, disiplinë dhe shpirt të fortë ekipor”, ka thënë Bytyqi.
Kombëtarja është duke udhëtuar për në Francë, ndërsa nesër (e mërkurë) do të zhvillojë ndeshjen nga ora 20:45 në Nimes, kundër të kaltërve. /ATVLIVE.TV