Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit thotë të ketë përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë dhe pretendimet për keq llogaritje, prandaj kanë themeluar edhe një komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë, të cilët pritet të dalin në terren nga 1 prilli.
“Me qëllim të garantimit të transparencës, korrektësisë dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve, dhe duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, në kuadër të përgjegjësive të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, me datë 31.03.2026, është themeluar një komision i posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.
Kjo ministri thotë se deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët lidhur me dyshime për keq llogaritje të njehsorëve.
“Megjithatë, duke filluar nga data 01.04.2026 (e mërkurë), komisioni do të dalë në terren për të verifikuar njehsorët elektrikë të çdo konsumatori që paraqet ankesë”, thuhet tutje në njoftim.
Me këtë rast, MINTI u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët janë shfrytëzues të energjisë elektrike, që për çdo dyshim lidhur me funksionimin e parregullt të njehsorëve në objektet e tyre të banimit, të njoftojnë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, në numrin pa pagesë 0800 11000, ose përmes adresës elektronike: [email protected].






