Ministrja Rizvanolli, për herë të parë në horizontet e “Trepçës”

Përgatiti: Armand Hoti

Prej tri vjetësh është ministre e këtij sektori, por tek të hënën, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e vizitoi për herë të parë nëntokën e Stan Tërgut.

Ajo thotë se as nuk e ka imagjinuar më përpara atë që pa në horizontin e 10-të në minierën e Trepçës, ku pa nga afër kushtet në të cilat punojnë minatorët.

“Sigurisht që e dimë në nivel racional që puna e minatorëve është shumë e vështirë dhe se kushtet janë të vështira dhe të jashtëzakonshme, mirëpo është e paimagjinueshme deri sa nuk i sheh vetë. Është fatmirësi që në masë të madhe siguria në punë është e mirë, megjithëse ende ka problem”, tha Rizvanolli.

Andaj, e para e ekonomisë thotë se përmirësimi i kushteve do të vendoset lart në listën e prioriteteve të ministrisë, por edhe të menaxhmentit të “Trepçës”, që tash ka kryeshef të ri.

Gjiganti metalurgjik vazhdimisht është mbështetur nga Qeveria e Kosovës me subvencione milionëshe, që kryesisht janë përdorur për mbulimin e shpenzimeve operative.

“Deri më tani shumica e subvencioneve kanë shkuar për shpenzime operative, për mbulim të pagave në radhë të parë, por edhe kriza energjetike dhe rritja e shpenzimeve për energji elektrike tejet e madhe për shkak të krizës, ka bërë që pjesa më e madhe e subvencioneve të jetë për shpenzime operacionale, por kjo absolutisht që duhet të ndryshojë, sepse ua kemi borxh punonjësve të “Trepçës” që të investojmë, që të përmirësojmë edhe kushtet e punës, edhe produktivitetin e punës”, tha Rizvanolli.

Në të njëjtën linjë me ministren është edhe kryeshefi Bashkim Kurti.

“Vetëqëndrueshmëria financiare është prioriteti ynë i parë, por në këtë prioritet t’parë realisht tonin si menaxhment i lartë, normalisht që lidhet apo është një nënkusht i parë i kësaj, është siguria në vendin e punës”, tha Kurti.

Si sfidë e cila do të trajtohet, sipas ministres, është numri i vogël i minatorëve.

Për këtë vit, Trepça me dy njësitë e saj që udhëhiqen nga shqiptarët synon t’i eksploatojë mbi 195 mijë tonë xehe të plumbit dhe zinkut.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA