Përgatiti: Fatlum Jashari
Derisa situata me furnizimin me energji elektrike është rënduar ditëve të fundit, institucionet nuk janë të gjendje të garantojnë zgjidhje të shpejtë.
Pas takimeve që pati në KOSTT dhe në KEDS, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se u kërkoi dy operatorëve që të bëjnë maksimumin në kryerjen e sanimeve për shkak të prishjeve dhe mbingarkesës.
Kërkesa tjetër, drejtuar qytetarëve, ishte: kursimi.
Edhe pse ditë më parë Ministria bëri thirrje për përdorimin e druve dhe peletit, si alternativa për ngrohje, ministrja refuzoi të lidhë rritjen e konsumit me shtimin e përdorimit të klimave.
“60 mijë amvisëri të reja janë kyçur në sistem gjatë tri viteve të fundit, dhe, 8 mijë e 500 biznese. Do të thotë diku 69 mijë konsumatorë të ri… Të lidhësh subvencionimin e pajisjeve me ngritjen e konsumit është thjeshtë e pasaktë”, tha Rizvanolli.
Pasi tha që nuk ka mungesë të energjisë, por mbingarkesë, kreu i Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut, Evetar Zeqiri, pranoi se ka reduktime – përkundër që furnizimi i pandërprerë është obligim ligjor.
“Këto janë raste të jashtëzakonshme të cilat nuk varet as nga KOSTT as nga KEDS, mirëpo për të ruajtur pajisjet tona, sepse një nënstacion e ka vlerën 10 milionë euro. Pra, nuk guxojmë me rreziku nënstacionin me operua mbi kapacitet… Prandaj, në raste të caktuara, në orë të caktuara, si rezultat i ngarkesës së madhe, kërkohet një reduktim i pjesshëm i ndonjë zone, për të cilën bashkë me KEDS-in e vendosim”, tha Zeqiri.
Në KEDS, kompani që proklamon 260 milionë euro investime në rrjet, përkundër që listuan së paku shtatë komuna: Gjilan, Ferizaj, Fushë Kosovë, Prizren, Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec, thanë se probleme kanë vetëm 5% e konsumatorëve.
“Kërkojmë nga të gjithë konsumatorët, që mundësisht, të bëjnë kursime individuale, në mënyrë që të kalojmë këtë vit… KESCO posedon rreth 730 mijë konsumatorë, dhe bazuar në të dhënat në sistem mbi 95% furnizohen në të njëjtën kohë”, tha Bujar Jupaj, drejtor i Operimit të Sistemit në KEDS.
Lidhur me investimet në nënstacionin në Ferizaj, një nga komunat me gjendjen më të rëndë, u tha se brenda ditësh ose javësh do të kryhen punët.
Ndërsa, pa përmendur një afat konkret, edhe për nënstacionin në Malishevë u tha se punët janë në fazën finale.