Ministria e Mbrojtjes s’e dinte se ndaj “Beni Donës” ka kallëzim penal, i dha tenderë milionësh

Përgatiti: Arton Hamiti

Ministria e Mbrojtjes nuk ishte fare në dijeni se ndaj kompanisë “BENI DONA” e cila përfitoi tenderë milionësh ka kallëzim penal aktiv.

Në fund të vitit të kaluar, kjo ministri me procedurë të negociuar, tenderin me mbi 2 milionë euro, për t’i ushqyer pjesëtarët e Forcës së Sigurisë ia dha kompanisë e cila dyshohet se më parë kishte furnizuar Policinë e Kosovës, me ushqim me afat të skaduar.

“Ne si Autoritet Kontraktues nuk kemi qenë në dijeni për ndonjë kallëzim penal ndaj Operatorit Ekonomik në fjalë dhe nuk jemi të informuar për një gjë të tillë prej asnjë nga institucionet përkatëse apo kompetente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes nga “BENI – DONA” kishte kërkuar: Vërtetimin nga Administrata Tatimore dhe nga Gjykata Themelore, por jo edhe ndonjë dëshmi nëse është subjekt i ndonjë hetimi.

Ardit Dragusha, nga Demokraci Plus, thekson se kompanitë që dyshohen për keqpërdorime vazhdojnë të marrin miliona euro nga Autoritetet Kontraktuese për shkak të mangësive që ka Ligji për Prokurimin Publik.

“Do të thotë Ligji i Prokurimit Publik parasheh që vetëm nëse ka ndonjë vendim të formës së prerë që rezulton me dënim, sepse nëse kompania është subjekt i hetimit nga Prokuroria, atëherë Autoritetet Kontraktuese nuk kërkojnë dëshmi sepse edhe ligji nuk e parasheh një gjë të tillë. Ka një hendek ligjor këtu, andaj kompanitë që dyshohet se kanë falsifikuar ose janë subjekt i hetimit vazhdojnë të marrin miliona euro”, tha Dragusha.

Megjithatë, sipas tij, autoritetet kontraktuese e kanë një rrugë tjetër të cilën mund ta ndjekin.

“Ekziston “Lista e Zezë” që në këto raste duhet të aplikohet, sepse nga OSHP-ja mund të kërkosh që një kompani të futet në këtë listë vetëm nëse ka dyshime për ndonjë keqpërdorim. Pra nuk ka nevojë të pritet për ndonjë vendim të prerë nga Gjykatat Kompetente. Por, këtë rrugë Autoritetet Kontraktuese e ndjekin shumë pak”, tha Dragusha.

“BENI DONA” me procedurë të negociuar mori tender edhe në fillim të vitit 2023. Vlera e tenderit paraprak, gjithashtu, ishte mbi 2 milionë euro, që i bie vetëm nga Ministria e Mbrojtjes i fitoi rreth 5 milionë euro brenda një viti.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA