Përgatiti: Arton Hamiti
Tenderin përmes të cilit synonte angazhimin e pesë konsulentëve për shërbime të ndryshme në Departamentin e Menaxhimit të Rrugëve, Ministria e Infrastrukturës e ka anuluar në mënyrë të kundërligjshme.
Vendimin për anulim kjo ministri e arsyetoi me faktin se njoftimi për kontratë dhe dosja e tenderit nuk ishin të njëjta.
“Anulimi i tenderit në këtë fazë dhe për arsyet e cekura nga Ministria e Infrastrukturës, përveç që dëshmon një keqmenaxhim dhe në të njëjtën kohë është i kundërligjshëm, sepse aktiviteti nuk mund të anulohet pas hapjes së ofertave për këto arsye. Nëse me të vërtetë kanë ekzistuar këto defekte, atëherë ministria ka mundur t’i përmirësojë e jo ta anulojë tenderin pasi i ka parë operatorët ekonomikë që kanë ofertuar”, tha Valmir Ilazi nga INPO.
Gjatë ditës, Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit. Ndërkohë, rastet kur aktivitetet e prokurimit anulohen pas hapjes së tenderëve janë të shpeshta. Gjatë vitit 2023, 82% e tenderëve janë anuluar pasi Autoritetet Kontraktuese i kanë parë ofertat nga Operatorët Ekonomikë.
Sidoqoftë, nga anulimi i tenderëve më së shumti pësojnë qytetarët, meqë shumë shërbime nuk arrihen të kontraktohen.
Për nga numri i aktiviteteve të prokurimit të anuluara gjatë vitit 2023, prin Korporata Energjetike e Kosovës në 231 procedura të anuluara, pasuar nga Policia e Kosovës me 102 tenderë të anuluar.