Blerim Shabani nga Ministria për Familje, ka mbajtur një konferencë për media lidhur me rastin e 5vjeçarit nga Janjeva e Lipjanit, i cili dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij.
Para mediave, Shabani tha se ministrja ka autorizuar njësinë inspektuese dhe ka kërkuar raport të hollësishëm sa i përket trajtimit të rastit të vogëlushit dhe gjashtë fëmijëve të tjerë të kësaj familje.
“Ne kemi ndërmarrë disa hapa, siç është mbikëqyrja profesionale, kemi kërkuar një raport kronologjik të hollësishëm lidhur me trajtimin, menaxhimin e fëmijëve nga Qendra për Punë Sociale, dhe normalisht në përputhje me këto kompetenca dhe përgjegjësi, kemi autorizuar dhe Njësinë Inspektuese e cila është në kuadër të Ministrisë që ne bëjmë pjesë”, tha ai.
“Por ajo që është e rëndësishme që ta sqarojmë, çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit është çështje e kompetencës ekskluzive e komunës”.
Pos tjerash, Shabani tha se Ministria ka dhënë pëlqimin që fëmijët të dërgohen në strehimore.
Kujtojmë se prindërit e dyshuar janë arrestuar dhe është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.






