Përgatiti: Driton Sadiku
Ministri Gjerman i Mbrojtjes të hënën qëndroi për vizitë në Kosovë, ku u prit nga krerët e shtetit. Pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, Boris Pistorius nuk kishte si të mos fliste për një temë mjaft aktuale në Kosovë.
Për të, vendimi i BQK-së, që vendos euron si valutë të vetme për kryerje të pagesave në Kosovë, është krejtësisht i ligjshëm, megjithatë, sipas tij, duhet të jepet kohë për zbatimin e tij.
“Jemi të vetëdijshëm që Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bën pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së euros, si valutë e vetme, mirëpo nevojitet që kjo të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme, ashtu që askush të mos ketë frikë dhe ketë mosinformim”, tha Pistorius.
Përtej ligjshmërisë, Presidentja Vjosa Osmani theksoi nevojën për dakoordim me aleatët ndërkombëtarë.
“Nga të gjitha kontaktet e mia me kryeministrin mund t’iu siguroi që qëllimet i kemi të njëjta dhe ajo është mbrojtja e kushtetutës së vendit, mbrojtja e sovranitetit, sundimi i ligjit, por njëkohësisht edhe arritja e dakordimit me aleatët tanë sa i përket kësaj çështjeje. Metodat mund t’i kemi të ndryshme, por qëllimet asnjëherë”, tha Osmani.
Duke kërkuar shtensionim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe duke bërë thirrje për rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Ministri Pistorius njoftoi se Gjermania do të rrisë praninë e saj ushtarake në Kosovë, qysh në pranverë.
“Gjermania pas SHBA-së është njëra nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës. Ne bashkëpunojmë me sukses në shumë fusha. KFOR-i mbetet si garantues për stabilitet dhe siguri. Sa u përket marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është kërkesë deeskalimi. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë, por parakusht është dialogu. Duke marrë parasysh tensionet aktuale bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha Pistorius.
Osmani u kujdes ta informojë më shumë ministrin gjerman, veçanërisht për sulmin terrorist në Banjskë për çka tha se terroristët serbë përdorën simbolet e KFOR-it, madje edhe atyre gjerman për ta kryer më lehtë sulmin.
Vizitën zyrtare ministri gjerman e vazhdoi për në kryeministri me shefin e qeverisë, për ta përmbyllur më pas në një takim me homologun kosovar Ejup Maqedonci.