Qeveria e Arabisë Saudite ka vendosur të shpërblejë bujarisht futbollistët dhe stafin teknik të kombëtares, pas kualifikimit historik në Kupën e Botës 2026.
Ministri i Sportit, Abdulaziz bin Turki Al-Faisal, njoftoi se secili lojtar dhe anëtar i stafit do të përfitojë nga 5 milionë rialë sauditë – rreth 1.15 milionë euro – si shpërblim për suksesin.
Arabia Saudite siguroi pjesëmarrjen në turneun më të madh të futbollit pas një barazimi pa gola ndaj Irakut, rezultat që mjaftoi për të përmbyllur me sukses fazën përfundimtare të eliminatoreve aziatike.
Ky është kualifikimi i tretë radhazi i “Jeshilëve” në një Kupë Bote, një tregues i qartë i përparimit të ndjeshëm të futbollit saudit në vitet e fundit.
Ministri Al-Faisal theksoi se pagesa e shpërblimeve do të bëhet brenda 30 ditëve nga përfundimi i eliminatoreve, duke e cilësuar këtë vendim si një nxitje shtesë për paraqitje të denjë në Botërorin që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ky veprim konfirmon edhe një herë angazhimin e Arabisë Saudite për zhvillimin e sportit dhe përfshirjen e futbollit në strategjitë kombëtare të zhvillimit, si pjesë e vizionit të saj sportiv për të ardhmen.
Skuadra saudite tashmë ka nisur përgatitjet për fazën finale të turneut, me objektivin për të kaluar fazën e grupeve dhe për të përsëritur suksesin e Botërorit 2022 në Katar, ku tronditi botën e futbollit duke mposhtur kampionët e ardhshëm, Argjentinën. /ATVLIVE.TV