Menaxhimi i mbeturinave, mbetët sfidë për Komunën e Prishtinës

Gjendja me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë vazhdon të jetë alarmante. Shumë hapësira janë të mbuluar më mbeturina të ndryshme. Drejtues të organizatave për mbrojtjen e ambientit vlerësojnë së kjo situatë është krijuar si pasojë e neglizhencës së institucioneve përgjegjëse dhe mungesës së vetëdijesimit të qytetarëve për ruajtjen e ambientit.

Shumë lagje dhe rrugë në kryeqytet vazhdojnë të jenë të stërmbushura me mbeturina. Për vite me radhë është premtuar përmirësim i gjendjes, por për fat të keq, situata vazhdon të jetë e njëjtë. Luan Hasanaj, drejtor i “Let’s Do It Kosova”, organizatë që merret më pastrimin dhe ruajtjen e ambientit, i tha RTK-së së gjendja është alarmante dhe kjo si pasojë e neglizhencës së institucioneve përgjegjëse dhe mungesës së vetëdijesimit të qytetarëve.

“Po shihet një neglizhencë e institucioneve për të kryer obligimet e tyre dhe për ta zgjidhur këtë problem. Krahas kësaj edhe një vetëdije e ulët e një pjese të konsiderueshme të shoqërisë të cilët nuk po arrin të kuptojnë se sa e rëndësishme është të kujdesemi për pronën publike siç kujdesemi për pronën private”, deklaroi Hasanaj.

Ndër të tjera, Hasanaj tha së Komuna e Prishtinës duhet të bëjë një plan për vendndodhjen e kontejnerëve dhe mënyrën e grumbullimit të mbeturinave, në mënyrë që të përmirësohet kjo gjendje.

“Do t’i apeloj komunës që të krijojë një plan i cili do ta ndërrojë edhe llojin e kontejnerëve. Kontejnerët duhet të jenë nëntokësorë, në mënyrë që edhe kur të mbushen të mos i shohim në atë gjendje”, tha ai.

Për gjendjen me mbeturina ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke ia rekomanduar drejtorisë përkatëse në Komunën e Prishtinës që në të gjitha pikat ku janë të vendosur kontejnerët, të mbulohen me kamera, në mënyrë që abuzuesit me mbeturina të dënohen për shkeljet eventuale që i bëjnë.

Nga Kompania Regjionale “Pastrimi”, e cila është përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës, kanë vlerësuar se janë shumë faktorë që po e pamundësojnë që kjo kompani të bëjë më kohë dhe në mënyrën e duhur grumbullimin e mbeturinave. Për këtë çështje foli për Radio Kosovën zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbnora Ademi.

“Numri i madh i konsumatorëve dhe fluksi i madh në kryeqytet e krijojnë atë gjendje. Por, faktori kryesor është hedhja e mbeturinave në mënyrë ilegale nga kompanitë private dhe mos respektimi i orarit nga konsumatorët. Edhe përkundër këtyre, ne mund të themi se e kemi gjendjen nën kontroll”, tha Ademi.

Për situatën e krijuar më keqmenaxhimin e mbeturinave, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të premten ka liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, i cili vjen nga radhët e PDK-së. Ai ka thënë se këtë po e bën për shkak të gjendjes alarmante lidhur me menaxhimin e mbeturinave.

Rama ka theksuar se tash e një vit ka kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria zgjidhje të kësaj situate të cilën e ka konsideruar si alarmante dhe të papranueshme dhe se nuk ka pasur zgjidhje por përkeqësim. Rama, mes tjerash, thotë se ka vendosur që vetë ta marrë përsipër zgjidhjen e situatës me mbeturinat në Prishtinë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA