Përgatiti: Driton Sadiku
Ministria e Infrastrukturës nënshkroi memorandum bashkëpunimi në vlerë gjysmë milioni, me komunën e Novobërdës për disa projekte infrastrukturore.
Por, lista e projekteve për të cilat u ndanë këto para, sipas zyrtarëve komunalë nuk shkoi nga komuna, por nga zyrat e lëvizjes Vetëvendosje në Novobërdë.
Sipas nënkryetarit Bajrush Ymeri, kjo ministri asnjëherë nuk iu është përgjigjur kërkesave të tyre për plane infrastrukturore, tash e 3 vjet qeverisje.
“Kjo listë ka shku nga zyra e lëvizjes Vetëvendosje pa konsultime paraprake me komunën. Pra kërkesat tona, planet tona nuk janë marrë parasysh, por janë marrë parasysh kërkesat e Vetëvendosjes”, tha Ymeri.
Madje, edhe këto projekte nuk kanë shpresë që do të realizohen së shpejti, meqë shumica e parave do t’u jepen në dy vitet e ardhshme.
Sipas marrëveshjes, gjatë këtij viti Ministria do t’i financojë projektet vetëm me 92 mijë euro.
“Në marrëveshjen e mirëkuptimit që e kemi nënshkruar, shkruan se nga shuma totale prej 500 mijë eurosh do të ndahen vetëm 50 mijë për këtë vit, dhe pjesa tjetër për dy vitet e ardhshme pra 2025 dhe 2026”, tha Ymeri.
Njohës të qeverisjes lokale thonë se planifikimet e gjata rrezikojnë projektet.
“Nënshkrimi i memorandumeve për më shumë se një vit, respektivisht për një periudhë që kap edhe qeverisjen tjetër, pra qeverinë që mund të dalë nga zgjedhjet e ardhshme, pra është padrejtësi ku qeveria e re do të ngarkohej me zbatimin e këtyre memorandumeve. Realisht çfarë ndodh në praktikë me qeverisjen e re këto memorandume mbesin të pazbatuara ose ridestinohen, apo riorganizohet dhënia e këtyre mjeteve nga niveli qendror”, tha Qëndrim Arifi, njohës i qeverisjes lokale.
Sidoqoftë, nga Ministria e Infrastrukturës nuk treguan nëse lista e projekteve ka shkuar nga zyrat e Vetëvendosjes te ta, megjithatë nga Vetëvendosja në Novobërdë e mohuan të kenë ndikuar në përzgjedhje.
Memorandumi parasheh rregullimin e 10 rrugëve nëpër 10 fshatra të Novobërdës si dhe ndërtimin e dy urave.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: