Përgatiti: Sara Shehu
Me rritjen e temperaturave është rritur edhe rreziku nga pickimi i rriqrave.
Edhe këtë vit, Malisheva vazhdon të jetë zona ku më së shumti po raportohen rastet e thumbimit nga rriqrat.
Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se nga dita e djeshme kanë filluar me dezinsektimin e zonave endemike.
“Pavarësisht numrit të rasteve të thumbimeve nga rriqrat, është fat i mirë se tani e një dekadë nuk kemi raste të infektimit me këtë virus vdekjeprurës, por ne si komunë, brenda përgjegjësive dhe kompetencave, jemi duke bërë të pamundurën për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Jemi duke dezinsektuar zonat endemike të komunës sonë. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë që janë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje, duke filluar nga punëtorët shëndetësorë, zyrtarët përgjegjës komunalë, si dhe të gjithë qytetarët, të cilët po tregohen shumë të kujdesshëm”, tha Kastrati.
Kastrati thotë se desinsektimin po e bëjnë pa ndihmën e institucioneve qendrore, për të cilat ka edhe kritika.
“Pasi e kemi nisur desinsektimin dje, ne s’kemi pasur mbështetje nga institucionet qendrore, siç janë Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, Ministria e Bujqësisë, AUV, në mënyrë që luftimi dhe parandalimi i EHKK, të ketë rezultate dhe të mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Por do ia dalim vetë. Në QKMF kemi mjaftueshëm staf për trajtimin e rasteve, i trajtojmë më mirë se qytetet e tjera pasi që jemi mësuar me raste të tilla, i kuptojnë më lehtë mjekët kur është thumbim apo infektim”, tha Kastrati.
Iniciativën e komunës po e mirëpresin qytetarët.
“Është e qëlluar kjo ide pasi që parandalohen pickimet, komuna e ka bërë të duhurën”, tha një qytetar.
“Është një plan i qëlluar, megjithatë, duhet të bëhet në të gjitha fshatrat e jo vetëm në qendër”, tha një tjetër qytetar.
Përpos Malishevës, zona të rrezikuara nga ethet hemorragjike apo siç njihen Krimo kongo janë edhe Suhareka, Rahoveci, Gjakova dhe Klina.
Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, tha në një përgjigje me shkrim për ATV-në se që nga fillimi i vitit deri në muajin maj, janë regjistruar mbi 200 raste të pickimit nga rriqrat nga të gjitha regjionet e Kosovës, por asnjë nuk ka përfunduar me vdekje.
Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka apeluar qytetarëve që jetojnë në zonat endemike, të kenë kujdes të shtuar.






