Më pak se një javë ka mbetur deri në përfundim të afatit për zgjedhjen e presidentit. Kosovës i duhet të nxitojë ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 4 mars, për t’i shmangur edhe një palë zgjedhje të tjera të parakohshme, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.
Osmani ka shprehur ambicien edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, por nuk duket ta ketë mbështetjen e partive parlamentare për t’u rizgjedhur, ndërsa deri tani anëtarë të familjes Jashari janë përmendur si emra të mundshëm për këtë post. Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.
Mirëpo, anëtarë të familjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, të përfolur si propozime të mundshme për të parin e shtetit e kanë mohuar se kanë ndonjë qëllim për të garuar për president të vendit.
Të mërkurën, Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, tha se nuk ka interesim apo qëllim për t’u bërë president i Kosovës.
Ai u shpreh se mbiemri Jashari përfaqëson një barrë dhe përgjegjësi të madhe, duke theksuar se nuk e konsideron të drejtë, as moralisht dhe as profesionalisht, që emri i familjes Jashari të përdoret për qëllime politike, pasi që u takon të gjithë shqiptarëve.
Më vonë, u deklarua edhe Bekim Jashari, ish-kryetari komunës së Skenderajt. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se ai mban qëndrimin e djalit të xhaxhait, duke shtuar “nuk kam çka t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje”.
Po ditën e djeshme ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, tha se nëse do të vinte një emër për president nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri. Duke folur pas një takimi me kryediplomaten e Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca tha se mes partive politike deri tani ka konsensus vetëm për një president që do të vinte nga familja Jashari.
Gjatë kësaj jave, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një seri takimesh me liderët e partive opozitare për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Të hënën, Albin Kurti, ka takuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e një ditë më herët edhe atë të PDK-së, Bedri Hamza.
Ai tha se zgjidhja është tek tri partitë e para, Vetëvendosja, PDK dhe LDK, teksa qartësoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, nuk është kandidatja e tij për president.
Kurti tha se do të përpiqen maksimalisht që t’i evitojnë zgjedhjet e reja.
Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.






