Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, është vetëm edhe një ndeshje larg kualifikimit historik në fazën e grupeve UEFA Europa Conference League – kompeticioni i tretë më i rëndësishëm evropian për klube.
Përveç aspektit sportiv, një kualifikim i tillë do të kishte rëndësi të madhe edhe financiare për klubin nga Gjilani.
Nëse arrin të kalojë fazën “play-off”, Drita do të përfitojë 3 milionë e 170 mijë euro nga UEFA – një shumë e garantuar për çdo skuadër pjesëmarrëse në grupet e Ligës së Konferencës.
Por, për të siguruar këtë sukses, “Intelektualët” duhet të eliminojnë skuadrën Differdange nga Luksemburgu.
Ndeshja e parë e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përfundoi me rezultat 2-1, në anën e Dritës, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet me datë 28 gusht në Luksemburg.
Nëse kualifikohet, Drita do të luajë gjashtë ndeshje në fazën e grupeve – secila ndaj një kundërshtari të ndryshëm.
Fitoret në këtë fazë shpërblehen me 400 mijë euro, ndërsa barazimet me 133 mijë euro, çka mund ta rrisë ndjeshëm përfitimin financiar të klubit në rast paraqitjesh të mira.