Përgatiti: Driton Sadiku
Kartëmonedha 500-euroshe mund të përdoret për pagesa, por ajo nuk mund të merret më nga institucionet financiare.
Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur që nga fillimi i muajit të ardhshëm ta ndalë riqarkullimin e kësaj monedhe.
Sidoqoftë, BQK-ja sqaroi për qytetarët se nuk duhet të kenë frikë, meqë ato mund t’i këmbejnë me kartëmonedha të tjera.
“Kjo nuk nënkupton ndalimin e qarkullimit të saj ndërmjet palëve si mjet i ligjshëm i pagesës. Kur ajo deponohet nga klientët, ajo nuk rikthehet më në qarkullim nga institucionet financiare. Gjithashtu, klientët mund ta konvertojnë në institucionet financiare kartëmonedhën 500 euro në denominime më të vogla, sikurse janë 200 euro, 100 euro, 50 euro, 20 euro, 10 euro, 5 euro dhe të tjera”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Një gjë e tillë po mirëpritet edhe nga ekonomistët, meqë thonë se nuk ka efekte negative në ekonomi.
Megjithatë, me vendimin e BQK-së janë shtuar edhe rastet për mashtrim me këtë kartëmonedhë të falsifikuar.
Disa raste janë paraqitur në organet e rendit pasi persona të ndryshëm kanë tentuar që këtë kartëmonedhë falëse ta deponojnë në institucione bankare.
Sidoqoftë, kartëmonedha 500-euroshe është ndaluar së prodhuari nga 2019-ta në bankat evropiane, ku euroja përdoret si valutë.