Përgatiti: Entela Sahiti
Zbatimi i marrëveshjeve të dala nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi, është një ndër mesazhet kryesore të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në adresimin e tij për fundvit.
Hovenier pret nga Kosova dhe Serbia që në vitin e ardhshëm të kenë përparim të njëmendtë.
“Në 2024 shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshje si dhe Kosovën, që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha Hovenier.
Sipas diplomatit amerikan, ky proces i normalizimit duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa të dy vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimet e tyre drejt BE-së.
Hovenier po ashtu, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara si më parë për partneritet me popullin e Kosovës, teksa ka deklaruar se me Qeverinë e Kosovës kanë shtyrë përpara tri qëllimet kryesore.
“Të shohim Kosovën duke e marrë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, sundim më të mirë të ligjit dhe qeverisje të përgjegjshme dhe efektive, dhe zhvillim gjithëpërfshirës të kapitalit njerëzor dhe rritje të qëndrueshme ekonomike”, tha Hovenier.
Tutje, ai përmendi disa pika kryesore që janë arritur gjatë këtij viti, duke potencuar Gjykatën Komerciale, përfshirjen e SHBA-së në programet e artit dhe arsimit si dhe dyfishimin e zotimit për energji të ripërtrishme.
Sipas tij gjatë vitit 2023 ka pasur momente të vështira, por që ka pasur edhe arritje e shumë përparim, për të cilat thotë se duhet festuar.