PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ & FATLUM JASHARI
Në gjysmën e muajit qershor do mbahet mbledhja mes dy qeverive: asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, konfirmoi për ATV-në Qeveria e Kosovës. Ministrat e të dy qeverive pritet edhe t’i nënshkruajnë disa marrëveshje të reja, derisa shumë prej të vjetrave, konsiderohet se tashmë janë zbatuar.
Gjakova do jetë nikoqire e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për mbledhjen e radhës e cila do mbahet më 14 qershor. Atë ditë, pritet të nënshkruhen edhe marrëveshje të reja në disa fusha.
Mbledhja e dy qeverive është planifikuar të zhvillohet në datën 14 qershor në qytetin e Gjakovës. Në këtë takim palët do nënshkruajnë marrëveshje të reja ndërmjet tyre. Marrëveshjet që pritet të nënshkruhen përfshijnë fusha të tilla si arsimi, drejtësia, shëndetësia, bujqësia dhe të tjera.
Derisa shumica e marrëveshjeve të vjetra të arritura në dy mbledhjet e fundit sipas Qeverisë së Kosovës, thuhet se janë zbatuar.
Në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive (data 26 nëntor 2021 dhe 20 qershor 2022) janë nënshkruar 41 marrëveshje (qeveritare, ndërministrore dhe ndërinstitucionale), implementimi i të cilave është me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, bizneseve e më gjerë si dhe ka zgjidhur problematika të mbartura ndër vite. Përveç dy marrëveshjeve që janë të fazën finale të implementimit të gjitha marrëveshje tjera kanë gjetur zbatim të plotë.
Por, sipas njohësve të marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri, zbatimi i marrëveshjeve në përgjithësi lë për të dëshiruar.
“Një qeveri mbahet përgjegjëse edhe për marrëveshjet tjera që kanë nënshkruar qeveritë e kaluara… nuk mund të ndahen me mandate…”
Në 8 mbledhjet e përbashkëta ndërqeveritare që kanë filluar nga viti 2014, sipas koordinatorit të dy qeverive, Gentian Sala, janë nënshkruar 88 marrëveshje. Të mërkurën e 14 qershorit, do jetë e 9-ta mbledhje.