Mbyllen dy ndërmarrje publike paralele serbe në veri

Përgatiti: Teuta Arifaj

Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore, dy ndërmarrje publike të cilat kanë vepruar në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut janë mbyllur nga Policia.

Siç ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, autoritetet lokale kërkuan ndihmë për të “çliruar disa zyra”.

“Bazuar në kërkesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut, ne erdhëm këtu për të asistuar. Sipas komunës, kjo pronë është e saj. Pasi policia hyri në objekt erdhëm në përfundim se ky mund të jetë institucion paralel. Atëherë ftuam prokurorinë dhe mblodhëm dëshmi. Aktualisht hetimet po zhvillohen në drejtim të falsifikimit të dokumenteve”, tha Elshani.

Për këtë aksion të Policisë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se keqpërdorimi i realizuar nën flamujt dhe emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur, do të hetohet deri në fund.

“Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Zyrat e këtyre dy ndërmarrjeve ndodheshin në një ndërtesë banesore në Mitrovicën e Veriut dhe për momentin nuk dihet në emër të kujt janë këto ambiente, ku kanë funksionuar këto ndërmarrje.

Pas mbylljes së zyrave u deklarua edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë duke thënë se “po uzurpohen” institucionet e Serbisë në veri dhe se këto hapa janë “në kundërshtim me marrëveshjet e dakorduara”.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi se “hyrja” e autoriteteve të Kosovës në ndërmarrjet serbe nuk do të vë në rrezik rreth 70 punëtorët të cilët do të vazhdojnë të marrin pagat.

Deri më tash autoritetet kosovare kanë mbyllur një numër të organeve të përkohshme komunale si dhe disa kompani komunale.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA