Mbrojtja e Bashkim Smakajt dhe ajo e Hajredin Kuçit kanë njoftuar se nuk do të paraqesin prova në rastin në të cilin Smakaj e Kuçi së bashku me Hashim Thaçin, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Të dy këto parashtrime, mbrojtja i kan dorëzuar ndaras duke njoftuar se nuk kanë ndonjë listë të dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, mbrojtja e Kuçit ka thënë se e rezervon të drejtën që t’i drejtohet gjyqtarit gjatë fjalëve përfundimtare.
Ndryshe, nga dy të lartpërmendurit, mbrojtja e Thaçit dhe Kilajt kanë thënë se do të paraqesin prova, ndërsa ajo e Fazliut tha se nuk do e bëjë një gjë të tillë. Mirëpo, Fazliu ka rezervuar të drejtën që përmes mbrojtjes të marrë pjesë në deklaratat hyrëse dhe përmbyllëse në këtë rast.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.
Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.. /BetimipërDrejtësi






