Faza e ligës në Ligën e Kampionëve 2025/26 mbyllet sonte, me një mbrëmje spektakolare futbolli, ku 18 ndeshje do të luhen njëkohësisht nga ora 21:00, duke vendosur fatin e shumë skuadrave në garën më prestigjioze evropiane.
Vëmendja kryesore është në Lisbonë, ku Benfica pret Real Madridin në një duel vendimtar. “Los Blancos” kërkojnë një rezultat pozitiv për të siguruar një pozicion më të favorshëm në renditje, ndërsa Benfica luan shansin e fundit për të mbetur në garë. Një përballje ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë.
Spektakël pritet edhe në Gjermani, ku Borussia Dortmund përballet me Interin. Dy skuadra me ambicie të mëdha dhe përvojë evropiane, në një duel të fortë dhe të hapur, me ndikim të drejtpërdrejtë në renditjen përfundimtare.
Në Itali, Napoli dhe Chelsea përplasen në një nga sfidat më të forta të mbrëmjes. Presioni është maksimal për të dyja palët, pasi një hap fals mund të komplikojë seriozisht objektivat e tyre.
Barcelona synon ta mbyllë fazën me fitore përballë Copenhagenit dhe të sigurojë vendin në tetëshe, ndërsa Paris Saint-Germain përballet me Newcastle United në një duel që pritet të jetë me intensitet të lartë dhe ritëm të fortë, ku llogaritë mbeten ende të hapura.
Manchester City kërkon konfirmim ndaj Galatasarayt, Liverpooli shihet favorit kundër Qarabagut, ndërsa Bayern Munich e pret një udhëtim i vështirë ndaj PSV Eindhoven. Ndeshje ku favoritët nuk kanë luksin të gabojnë.
Në program janë edhe përballje të tjera interesante si Arsenal–Kairat Almaty, Ajax–Olympiacos, Monaco–Juventus dhe Atletico Madrid–Bodø/Glimt, sfida që mund të sjellin befasi pavarësisht diferencave në letër.
Mbrëmja kompletohet me duele të rëndësishme si Eintracht Frankfurt–Tottenham, Bayer Leverkusen–Villarreal, Union Saint-Gilloise–Atalanta dhe Pafos–Slavia Pragë, ku çdo pikë ka peshë të veçantë.
Xhiroja e fundit nuk është thjesht mbyllje faze. Është provë nervash, test karakteri dhe në fund të kësaj mbrëmjeje, Evropa do të mësojë se kush vazhdon rrugëtimin dhe kush i jep lamtumirën Ligës së Kampionëve.






