Parlamenti i Grenlandës do të kërkojë mbajtjen e një takimi për të diskutuar përgjigjen e saj ndaj kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e ishullit Arktik, kanë bërë të ditur në një deklaratë të përbashkët udhëheqësit e pesë partive politike të përfaqësuara në asamblenë e Grenlandës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të zotërojnë Grenlandën, e cila është një pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, me arsyetimin se kjo do të parandalonte një pushtim të mundshëm nga Rusia ose Kina në të ardhmen, për shkak të pozicionit strategjik dhe pasurisë së madhe minerale të territorit.
Në reagimin e tyre të përbashkët, udhëheqësit e pesë partive politike të zgjedhura në parlamentin e Grenlandës kanë shprehur kundërshtimin e tyre të ashpër ndaj këtyre deklaratave.
“Ne theksojmë edhe një herë dëshirën tonë që përbuzja e SHBA-së për vendin tonë të marrë fund”, kanë deklaruar ata vonë të premten.
Ndërkohë, kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka theksuar qartë qëndrimin e vendit përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, duam të jemi grenlandezë”, ka shkruar ai.
Sipas udhëheqësve politikë, takimi i parlamentit do të mbahet me qëllim që të zhvillohet një debat politik i drejtë dhe gjithëpërfshirës, si dhe për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të popullit të Grenlandës.
Data e mbajtjes së këtij takimi ende nuk është përcaktuar. Parlamenti i Grenlandës është mbledhur për herë të fundit në muajin nëntor dhe ishte planifikuar të mblidhej sërish më 3 shkurt, sipas njoftimeve në faqen zyrtare të tij.






