Kalo te përmbajtja
Të fundit

Mbledhja e qeverisë, Kurti sërish flet për rrezikun nga Serbia

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Mbledhja e qeverisë, Kurti sërish flet për rrezikun nga Serbia

Përgatiti: Fatlum Jashari

Për destruktivitetin e Serbisë, rreziqet eventuale dhe veprimet jodemokratike të aparatit të saj shtetëror, foli kryeministri Albin Kurti me pjesën më të madhe të fjalës hyrëse në mbledhjen e Qeverisë.

Reklamë

Teksa bëri krahasime ndërmjet metodave të frikësimit dhe torturimit nga Serbia me ato të presidentit të Rusisë, Kurti tha se shteti fqinj po vijon me veprime në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit.

“Në nenin 1 të Marrëveshjes, pra qysh në fillim të saj, theksohet që palët, domethënë Kosova dhe Serbia, do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejta të barabarta. Serbia, megjithëkëtë, zgjedh pothuajse çdo gjë mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me neve. Ajo, në të vërtetë, e zgjedh të sulmojë Kosovën, ashtu siç ka bërë me datën 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, e pastaj të mbrojë nga burgimi kryerësit e kësaj vepre terroriste, në krye me Millan Radojcicin”, tha Kurti.

Pa dhënë detaje, kryeministri theksoi se Qeveria është e angazhuar për heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja, të cilat sërish i vlerësoi të padrejta.

Pasi dha vlerësimin e njëjtë me Kurtin lidhur me masat, ministri Elbert Krasniqi nuk tregoi nëse për heqjen e tyre kërkohet dekreti për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

Në mbledhjen e 182-të, Qeveria ri-shpërndau mjetet financiare të mbetura nga mbështetja e BE-së për krizën energjetike, duke dedikuar 11 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Po ashtu, ekzekutivi ndau 287 mijë euro për strehimoret dhe OJQ-të e licencuara, të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

Qeveria emëroi anëtarët në bordet e drejtorëve në ndërmarrjen Hekurudhat e Kosovës “Train-Kos”, si dhe në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Reklamë