Përgatiti: Sara Shehu
Mbikalimi në afërsi të shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë, shfrytëzohet minimalisht nga qytetarët.
Mbeturinat e shumta dhe kundërmimi, janë disa nga arsyet që shtyjnë që banorët të mos e shfrytëzojnë atë.
“Ky mbikalim asnjëherë nuk është mbajtur i pastër nga përgjegjësit e nga komuna. Në Fushë Kosovë në përgjithësi nuk ka mirëmbajtje të mirë, ka shumë papastërti, andaj për këtë arsye nuk e përdori këtë mbikalim”, thotë një qytetar.
“Është e tmerrshme pasi që ky mbikalim përmban shumë mbeturina dhe është jo i pastër, ka erë të keqe, lë për të dëshiruar”, tha një tjetër qytetar.
Në këtë mbikalim, po ashtu, ka edhe mbishkrime e grafite banale.
Në lidhje me këtë situatë, Drejtoria e Shërbimeve Publike në Fushë-Kosovë thotë për ATV-në, se përgjegjëse për mirëmbajtjen e mbikalimit është Ministria e Infrastrukturës.
“Mirëmbajtja e rrugës M9 me të gjitha pjesët përcjellëse aty është nën kompetencën e Ministrisë së Infrastrukturës, përveç rrethi dhe pjesës nga rrethi nëpër qytet të vjetër e deri te stacioni i trenit ku janë kompetencë e Komunës së Fushë Kosovës”, thuhet në përgjigjen nga Komuna e Fushë-Kosovës.
Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje në Ministrinë përkatëse në lidhje me këtë çështje, mirëpo deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk ka pasur përgjigje.
Sidoqoftë, ky projekt është realizuar ndërmjet Komunës së Fushë-Kosovës, në bashkëpunim me Fondin e Zhvillimit të Komunitetit dhe Bankën Botërore, i cili ka kushtuar afro 104 mijë euro. Pas përfundimit të tij, përgjegjësia për mirëmbajtjen e tij ka kaluar nën kompetencën e Ministrisë së Infrastrukturës.