Përgatiti: Krenare Mulliqi
Tash e një muaj është emëruar drejtor ekzekutiv i Institutit për Krime Lufte. Në deklarimin e tij të parë, Atdhe Hetemi tha se ky Institut ka për mision mbledhjen, arkivimin, hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës.
Hetemi, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, pjesëtarë të organizatave joqeveritare e zyrtarë të tjerë, morën pjesë në takimin e parë zyrtar të hapur lidhur me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, që pritet të funksionalizohet shpejt.
I pari i ekzekutivit i cili tha se puna e këtij Instituti nuk është fare e lehtë, por, sipas tij, krimet e luftës do të dokumentohen dhe adresohen.
Sipas tij, 24 vjet pas luftës, Kosova ende nuk e di dëmin ekonomik, emocional dhe psikologjik që ia ka shkaktuar lufta.
Diskutimin rreth institutit e mirëpresin edhe në Fondin për të Drejtën Humanitare, organizatë kjo e pavarur, e cila i dokumenton krimet e luftës tash e më shumë se 20 vjet.
Dokumentimin e krimeve të luftës, Instituti i rithemeluar do ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjekoligjor dhe sociologjik dhe do ta krijojë fondin arkivor, si dhe përgatitjen e të dhënave statistikore.