Në dhjetor 2025, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen njoftoi qëllimin për të hequr të gjitha masat e mbetura ndaj Kosovës deri në fund të janarit.
Lidhur me këtë, Telegrafi ka pyetur BE-në se deri ku ka arritur procesi për heqjen e tërësishme të masave të mbetura.
BE-ja, në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka thënë se pas përfundimit të procedurave të brendshme, Komisioni mund të vazhdojë tani me lëshimin e 205 milionë eurove të mbetura si asistencë financiare.
Sipas tyre, kjo do të bëhet pasi të përfundojë nënshkrimi i kontratave për asistencën financiare të planifikuar nën programet IPA 2021 dhe 2022.
“Lëshimi i ardhshëm përfundimtar i fondeve do të përfshijë: 74 milionë euro për projekte nën programet vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte nën Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”, thuhet në përgjigje.
Tutje theksohet se Komisioni dhe Shërbimi i Jashtëm Evropian do të forcojnë angazhimin e tyre me autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe një vizitë të ardhshme të Komisionerit Kos”.
“ Nga ana e saj, Kosova pritet të intensifikojë zbatimin e reformave shumë të nevojshme lidhur me BE-në dhe të avancojë në përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. BE-ja do të vazhdojë të ndjekë dhe të vlerësojë situatën shumë nga afër”, thuhet në përgjigje.
Masat ndëshkuese të BE-së u vendosën ndaj Kosovës në qershor të vitit të 2023 pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.






