Përgatiti: Armand Hoti
Shteti dështoi në mbrojtjen e Sebahate Morinës, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj, në mars të vitit 2021, e i cili po atë ditë vrau edhe veten.
Referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar në mars të vitit të kaluar, vrasja e së ndjerës derivoi nga neglizhenca e Stacionit Policor në Graçanicë dhe e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Për shkak të neglizhencës, në korrik të 2023-tës, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi ta sanksionojë prokuroren Hava Krasniqi, duke shqiptuar masë disiplinore “zbritje e pagës për 30 % për 12 muaj”.
Mirëpo ky vendim u publikua së rishtazi.
“Bazuar në kërkesën për inicim të procedurës disiplinore, me datë 03 mars 2021, prokurorja kujdestare, Hava Krasniqi, kishte pranuar njoftimin nga Stacioni Policor – Graçanicë, se tani e ndjera S.S., ishte sulmuar nga ish-bashkëshorti, L.S, të cilin e kishte liruar me procedurë të rregullt, edhe pse ai vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij”, thuhet në vendimin e KPK-së.
Mirëpo, masa e shqiptuar ndaj prokurores në fjalë vlerësohet të jetë jo e duhura. Madje, nga IKD-ja e shohin edhe me shqetësim.
“Që në total, i bie 6000 euro ulje e pagës së prokurores dhe fatkeqësisht kjo prokurore do të vazhdojë në mënyrë të njëjtë. Do t’i rikthehet paga që e ka pasur, do të vazhdojë ta mbajë këtë pozicion që e ka dhe për viktimat e dhunës në familje kjo është një dekurajim tejet i madh”, tha Gzim Shala nga IKD.
Edhe Fatmir Morina, vëllai i së ndjerës, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me masën e shqiptuar ndaj prokurores.
“Ne, si familje, ndihemi shumë të zhgënjyer me këtë vendim të KPK-së. Ky vendim për ne është shumë nënçmues, fyes dhe joprofesional nga ata njerëz që e kanë nxjerrë këtë vendim. Një prokurore e shtetit joprofesionale, e cila e ka neglizhuar këtë rast, ka bërë shkelje me dy këmbë e të dënohet me 6000 euro në pagë për një jetë njeriu, kjo është e tmerrshme dhe shumë fyese për ne si familje! Unë, si vëlla i të ndjerës Sebehates dhe e gjithë familja jonë kërkojmë drejtësi profesionale dhe korrekte ndaj gjithë atyre që e neglizhuan këtë rast”, tha Morina.
ATV-ja tentoi të komunikojë me prokuroren Krasniqi, por ajo, deri në publikimin e kësaj kronike, nuk ka kthyer përgjigje.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: