Marash Kumbulla është shumë pranë nisjes së një kapitulli të ri në karrierën e tij, këtë herë në elitën e futbollit spanjoll. Mbrojtësi shqiptar ka mbërritur mbrëmë në ishullin e Mallorcës, ku sot pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore para firmosjes së kontratës njëvjeçare me klubin e La Ligës.
Edhe pse prezantimi i tij zyrtar përpara mediave do të zhvillohet në ditët në vijim, 24-vjeçari foli shkurtimisht për gazetarët në aeroport:
“Jam gati të nis stërvitjen, të martën fillojmë gjithçka,” tha ai, duke nënvizuar se roli i trajnerit Jagoba Arrasate ka qenë kyç në zgjedhjen e tij. “Kam biseduar me trajnerin dhe ai më ka bindur,” shtoi Kumbulla, i vendosur ta rifitojë formën e tij më të mirë pasi vuajti dëmtime dhe mungesë aktivizimi te Roma.
Reprezentuesi kuqezi bëhet afrimi i katërt i Mallorcas në këtë merkato verore, pas transferimeve të portierit Bergstrom nga Chelsea, mesfushorit Pablo Torre nga Barcelona dhe sulmuesit Mateo Joseph nga Leeds United.
Në Mallorcë, Kumbulla do të bashkohet edhe me sulmuesin nga Kosova, Vedat Muriqi, duke rritur dukshëm prezencën shqiptare në skuadrën ishullore, e cila synon të bëjë një sezon të fortë në La Liga.