Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaroi se ushtria e Kosovës është e gatshme që të përballet me çdo sfidë dhe kërcënim që tenton të cenojë integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve. Ai tha se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për sulme të mundshme gjatë këtyre ditëve, nuk kanë për qëllim që të frikësojnë qytetarët.
Në konferencën e fundvitit, Maqedonci tha se grupi që kreu sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, dhe atë të 29 nëntorit të këtij viti në kanalin e Ibër-Lepencit, vazhdon të mbetet i lirë në Serbi.
“Grupi që kreu sulmin e 24 shtatorit por edhe sulme të tjera të radhës, vazhdon të mbetet i lirë në Serbi dhe vazhdon të mbështetet nga strukturat e sigurisë në Serbi. Normalisht që kohët kur këto grupe mund të kryejnë sulme janë të ndjeshme dhe që lidhen me data, siç ishte edhe sulmi i datës 29 nëntorit që ndodhi menjëherë pas sulmeve të Rusisë kundër Ukrainës, në infrastrukturën energjetike por edhe për festat e nëntorit që ndërlidhen me festat në Kosovë por edhe vet në Serbi. Vlerësoj, është thënë edhe nga kryeministri këto ditët e fundit, po e them unë, ne si vend, si qeveri, si institucione garantojmë siguri, kemi institucione të përgatitura dhe të gatshme për tu përballur me çdo sfidë dhe kërcënim. Aspak nuk ka pasur qëllim, asnjë deklaratë e jona që të ndjell panik apo frikë. Qëllimi është që të jemi transparent me qytetarët. Ushtria e Kosovës, Policia e Kosovës, gjitha institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës janë të gatshme për tu përballur me çdo sfidë dhe kërcënim që tenton të cenojë integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve tanë”, deklaroi Maqedonci.
Në konferencë për media, ai tha se gjatë vitit 2025 do të validojnë regjimentin e tretë të këmbësorisë, në kuadër të stërvitjes më të madhe ndërkombëtare “Defender Europe 2025″.
Maqedonci tha se për kate vjet mandat është dyfishuar numri i ushtarëve.
“Gjatë këtij viti janë shpenzuar 169 milionë e 758 mijë euro të buxhetit dhe shtesave buxhetore të ndara për Ministrinë e Mbrojtjes. Apo shprehur në përqindje rreth 97 për qind të buxhetit. Është shpenzuar dy për qind, janë obligime financiare dhe 1 për qind mjete të zotuara që do të thotë se nuk kemi buxhet të lirë dhe buxheti është realizuar 100 për qind. Buxheti rekord i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes ka ndikuar në zhvillimin me hapa të jashtëzakonshëm të ushtrisë tonë, duke ngritur kapacitetet në tri aspekte kryesore: arsenalin ushtarak, personelin numerikisht dhe ndërtimin profesional përmes trajnimeve të ndryshme. Gjatë mandatit tonë në tërësi, deri më tani janë rekrutuar 1971 ushtarak të rinj, ndërsa jemi në proces të rekrutimit edhe të 300 ushtarëve duke çuar numrin në numrin total deri në 2171. Krahas rritjes në numër kemi mbështetur edhe rritjen e mirëqenies së pjesëtarëve të FSK-së përmes ngritjes së pagave, duke rritur pagën e ushtarit për 60 për qind nga 422 në 726 që do të jetë nga 1 korriku 2025”, theksoi ai.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci theksoi se punën e kanë bazuar në katër objektiva, si zhvillimi i kapaciteteve luftarake për mbrojtjen e sovranitetit, mirëmbajtja e kapaciteteve thelbësore për mbështetje të autoriteteve civile, fuqizimi i mbikëqyrjes civile dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
“Kemi investuar në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së armatimit. Gjatë këtyre katër viteve janë investuar mbi 270 milionë euro në blerjet ushtarake, pra blerjet e armatimit. Që është një dallim i jashtëzakonshëm me periudhën e njëjtë të vitit 2017-2020 që ishin investuar vetëm katër milionë euro në këtë drejtim. Përveç dronëve bajraktar dhe sistemeve të ndryshme të mbështetjes me zjarr, artileries, ne kemi vazhduar edhe me aspekte të tjera të forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse duke vendosur për herë të parë bazamentin e industrisë së mbrojtjes përmes nënshkrimit të kontratës për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit. Fabrikë që do të jetë e para e këtij lloji në Kosovë, e para që prodhon municion luftarak, i cili do të mundësojë edhe eksport në vendet e NATO-s”, shtoi ai.
Sipas tij, ushtria e Kosovës është “më e fortë se kurrë dhe e gatshme për mbrojtjen e sovranitetit”.
“Ushtria jonë sot është më e fuqishme se kurrë, është më e pajisur se kurrë, më e përgatitur dhe më e trajnuar se kurrë dhe më e kompletuar me personel se kurrë më parë dhe më e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit tonë për të mbështetur autoritetet civile në rast të fatkeqësive natyrore si dhe për të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare bashkë me aleatët tanë”, u shpreh ai.
Në Ditën e Veteranëve të Luftës, Maqedonci ka uruar të gjithë veteranët e luftës çlirimtare të Kosovës, teksa kujtoi sulmin e parë në Prekaz të kryer nga forcat serbe./kp