Komuna e Prishtinës po përballet me një tjetër sfidë ligjore përballë Qeverisë së Kosovës, pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e cilësoi të paligjshëm vendimin e komunës për ta kaluar organizimin e tregut “Verë n’Dimër” dhe “Akull n’Verë” nën menaxhimin e ndërmarrjes “Sport Marketing”, në vend të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, e cila kishte mbikëqyrur këto aktivitete më herët.
Ky vendim, i nënshkruar nga kryetari Përparim Rama, është konsideruar nga MAPL si një përpjekje për të anashkaluar mbikëqyrjen e tyre.
“MAPL konstaton se vendimi Nr. 14.020/04.129312/24 nuk përmban në preambulë Rregulloren nr. 01-463/01-227577/23 për përcaktimin e procedurave dhe formave për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës për më pak se një vit të datës 1.12.2023, akt me të cilin kryeqyteti i Republikës së Kosovës/Prishtinë ka përcaktuar ‘procedurë të brendshme për dhënien në shfrytëzim të pronës më pak se një vit’ si dhe neni 6 i vendimit që ka përcaktuar se ‘hyrja në fuqi realizohet në momentin e nënshkrimit të tij’ duke anashkaluar dërgimin e aktit të autoritetit mbikëqyrës për shqyrtimin e ligjshmërisë është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nenin 80”, thuhet në arsyetim.